Nënshkrimi i pasqyrave financiare

SI KLASIFIKOHEN NDËRMARRJET SIPAS LIGJIT TË RI PËR KONTABILITET, RAPORTIM FINANCIAR DHE AUDITIM?

 

Të gjitha ndërmarrjet në Kosovë klasifikohen si ndërmarrje mikro, të vogla, të mesme apo të mëdha, nëse i plotësojnë dy nga tre kriteret sipas tabelës në vijim:

 

Mikro ndërmarje Ndërmarje e vogël Ndërmarje e mesme Ndërmarje e madhe
Totali I Qarkullimit Neto 0 – 700,000.00 700,000.01 – 8,000,000.00 8,000,000.01 – 40,000,000.00  Mbi 40,000,000.01
Totali I Pasurisë 0 – 350,000.00 350,000.01 – 4,000,000.00 4,000,000.01 – 20,000,000.00  Mbi 20,000,000.01
Numri mesatar I të punësuarve gjatë vitit 0 – 10 10 – 50 50 – 250   Mbi 250

 

 

KUR KA HYRË NË FUQI LIGJIT NR. 06/L-032 PËR KONTABILITET, RAPORTIM FINANCIAR DHE AUDITIM?

 

Ligji ka hyrë në fuqi më 1 janar 2019 dhe aplikohet për periudhën raportuese të vitit 2019 e tutje.

 

CILAT JANË OBLIGIMET NËSE NDËRMARRJA IME KLASIFIKOHET SI MIKRO NDËRMARRJE?

 

Nëse një ndërmarrje plotëson dy nga tre kriteret e listuara në tabelën  mësipërme, dhe klasifikohet si MIKRO ndërmarrje, atëherë këto janë obligimet të cilat burojnë nga Ligji dhe Udhëzimet Administrative në fuqi:

 

Mikro ndërmarrjet ndahen në tre klasa:

 

Klasa I: Qarkullim (të hyra) vjetor neto më pak se 50,000€. Klasa II: Qarkullim (të hyra) vjetor neto prej 50,000€ deri 300,000€. Klasa III: Qarkullim (të hyra) vjetor neto mbi 300,000€.

  1. Raportimi financiar: Mikro ndërmarrjet e klasës I përgatisin pasqyrën e të ardhurave për periudhën raportuese sipas parimit të parasë së gatshme ose parimit akrual të kontabilitetit, në varësi të përzgjedhjes nga vetë ndërmarrja. Mikro ndërmarrjet e klasës II përgatisin pasqyrën e pozitës financiare në fund të periudhës raportuese dhe pasqyrën e të ardhurave sipas parimit akrual të kontabilitetit.

 

Mikro ndërmarrjet e klasës III, përgatisin pasqyrat financiare vjetore të plota në pajtueshmëri me Standardin Ndërkombëtarë të Raportimit  Financiar për Ndërmarrjet e Vogla dhe Mesme (SNRF për NVM-të).

 

  1. Nënshkrimi i pasqyrave financiare: Për klasën I, pasqyrat financiare nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv apo pronari. Për klasën II, pasqyrat financiare nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv/pronari si dhe nga drejtori financiar ose kontabilisti i çertifikuar. Për klasën III, pasqyrat financiare nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv dhe drejtori financiar, dhe nëse ky i fundit nuk është i çertifikuar si kontabilist, atëherë pasqyrat financiare nënshkruhen edhe nga Kontabilisti i Çertifikuar.

 

  1. Raportet shtesë: Pasqyrat financiare të mikro ndërmarrjeve të të gjitha klasave duhet të shpalosin: a)     numrin mesatar të të punësuarve gjatë periudhës raportuese; b)    totalin e pasurive dhe totalin e detyrimeve në datën e fundit të periudhës raportuese, si dhe c)     bazën apo parimit mbi të cilin janë ndërtuar pasqyrat financiare.

 

Mikro ndërmarrjet e klasës II dhe III, pasqyrave financiare duhet ti bashkëngjisin edhe  deklaratën e pajtueshmërisë të nënshkruar nga drejtori ekzekutiv apo pronari dhe zyrtari kryesor financiar apo personi përgjegjës për financa, që deklarojnë se ato pasqyra financiare paraqesin pamje te drejtë dhe të vërtet në pajtueshmëri me parimet e zbatueshme të kontabilitetit.

 

  1. Dorëzimi i pasqyrave financiare: Të gjitha mikro ndërmarrjet duhet të dorëzojnë në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) pasqyrat vjetore financiare jo më vonë se më 30 prill të vitit vijues. Mikro-ndërmarrjet të cilat përgatisin pasqyra financiare të konsoliduara, afatin për dorëzim e kanë jo më vonë se më 30 qershor të vitit vijues.

 

 

CILAT JANË OBLIGIMET NËSE NDËRMARRJA   IME KLASIFIKOHET SI NDËRMARRJE E VOGËL APO E MESME (NVM)?

 

Nëse një ndërmarrje plotëson dy nga tre kriteret e listuara në tabelën e mësipërme, dhe klasifikohet si ndërmarrje e VOGËL apo e MESME, atëherë këto janë obligimet të cilat burojnë nga Ligji dhe Udhëzimet Administrative në fuqi:

 

  • Raportimi financiar: të gjitha NVM-të gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare duhet të zbatojnë Standardin Ndërkombëtarë të Raportimit Financiar për Ndërmarrjet e Vogla dhe Mesme (SNRF për NVM-të).

 

  • Nënshkrimi i pasqyrave financiare: Pasqyrat financiare të NVM-ve nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv dhe nga zyrtari kryesor financiar. Nëse drejtori financiar apo zyrtari kryesor financiar nuk është i çertifikuar si kontabilist, atëherë pasqyrat i nënshkruan edhe kontabilisti i çertifikuar emri i të cilit figuron në regjistrin publik të kontabilistëve të çertifikuar të publikuar nga Shoqatat e Licencuara të Kontabilitetit nga KKRF.

 

  • Auditimi i pasqyrave financiare: të gjitha ndërmarrjet e klasifikuara si NVM të cilat kanë qarkullim vjetor neto mbi 4,000,000€ duhet ta angazhojnë një firmë të auditimit të licencuar nga KKRF për të kryer auditimin e pasqyrave financiare vjetore.

 

  • Rishikimi i pasqyrave financiare: të gjitha ndërmarrjet e klasifikuara si NVM të cilat kanë qarkullim vjetor neto më pak se 4,000,000€ duhet ta angazhojnë një firmë të auditimit apo ndonjë auditor ligjor të licencuar nga KKRF për të kryer rishikimin e pasqyrave financiare vjetore.

 

  • Dorëzimi i pasqyrave financiare: të gjitha ndërmarrjet e klasifikuara si NVM duhet të dorëzojnë pasqyrat financiare të audituara apo rishikuara në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) jo më vonë se 30 prill të vitit vijues. Nëse NVM-të bëjnë konsolidim të pasqyrave financiare, atëherë kjo datë shtyhet deri më 30 qershor të vitit vijues. Ndëshkimet për mos dorëzim me kohë apo mos dorëzim fare variojnë nga 500€ deri në 20,000€.

 

CILAT JANË OBLIGIMET NËSE NDËRMARRJA IME KLASIFIKOHET SI NDËRMARRJE E MADHE?

 

Nëse një ndërmarrje plotëson dy nga trekriteret e listuara në tabelën e mësipërme, dhe klasifikohet si ndërmarrje e MADHE, atëherë këto janë obligimet të cilat burojnë nga Ligji dhe Udhëzimet Administrative në fuqi:

 

  • Raportimi financiar: të gjitha ndërmarrjet e MËDHA gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare duhet të zbatojnë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF/IFRS) dhe Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK/IAS).

 

  • Nënshkrimi i pasqyrave financiare: Pasqyrat financiare të ndërmarrjeve të MËDHA nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv dhe nga zyrtari kryesor financiar. Nëse drejtori financiar apo zyrtari kryesor financiar nuk është i çertifikuar si kontabilist, atëherë pasqyrat i nënshkruan edhe kontabilisti i çertifikuar emri i të cilit figuron në regjistrin publik të kontabilistëve të çertifikuar të publikuar nga Shoqatat e Licencuara të Kontabilitetit nga KKRF.

 

  • Auditimi i pasqyrave financiare: të gjitha ndërmarrjet e klasifikuara si të MËDHA duhet të angazhojnë një firmë të auditimit të licencuar nga KKRF për të kryer auditimin e pasqyrave financiare vjetore.

 

  • Raportet shtesë: të gjitha ndërmarrjet e MËDHA dhe subjektet me interes publik (SIP) përpos pasqyrave financiare, duhet të përgatisin në baza vjetore edhe: (a) raportin e menaxhmentit, i cili duhet të përmbajë një vlerësim të drejtë të zhvillimit dhe performancës së ndërmarrjes, si dhe pozitën e saj, përfshirë këtu edhe rreziqet kryesore dhe pasiguritë që kanë të bëjnë me të, (b) deklaratën e pajtueshmërisë të nënshkruar nga drejtori ekzekutiv dhe zyrtari kryesor financiar, që pasqyrat financiare paraqesin pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare, rezultateve të operacioneve, dhe rrjedhave të parasë, dhe që pasqyrat financiare janë përgatitur në pajtim me Ligjin.

 

  • Dorëzimi i pasqyrave financiare: të gjitha ndërmarrjet e klasifikuara si të MËDHA duhet të dorëzojnë për publikim pasqyrat financiare të audituara në Këshillin Kosovar për Raportim Financair (KKRF) jo më vonë se 30 prill të vitit vijues. Nëse ndërmarrjet e MËDHA bëjnë konsolidim të pasqyrave financiare, atëherë kjo datë shtyhet deri më 30 qershor të vitit vijues. Ndëshkimet për mos dorëzim me kohë apo mos dorëzim fare për këtë kategori të ndërmarrjeve, variojnë nga 1,000€ deri në 20,000€.

 

UNË JAM NJË NVM, KU MUND TË GJEJ LISTËN E KONTABILISTËVE TË ÇERTIFIKUAR?

 

www.scaak.org

www.ikag.org

www.aab-edu.net

 

 

KONTABILISTI I ÇERTIFIKUAR A DUHET TË JETË I PUNËSUAR ME ORAR TË RREGULLT APO MUND TËKONTRAKTOHET VETËM PËR OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË PËRGATITJES DHE NËNSHKRIMIT TË PASQYRAVE FINANCIARE?

 

Legjislacioni aktual në fuqi nuk obligon ndërmarrjet që të  kenë të punësuar me orar të rregullt kontabilistët e çertifikuar. Ndërmarrjet janë të lira të kontraktojnë shërbimet e përgatitjes dhe nënshkrimit të pasqyrave financiare nga kontabilistët e çertifikuar të cilët figurojnë në regjistrin publik të kontabilistëve.